Edhe në këtë vit, Top Channel do të vijë me një tjetër Big Brother Albania, i cili spektakël do të përcillet me shumë risi, edhe pse do të fillojë paksa më vonë sesa spektaklet e tjera.
Njëri prej personave që e prodhon këtë spektakël, Rezart Aga, në një bisedë me gazetën “Shekulli”, ka thënë se edhe këtë vit teleshikuesit shqiptarë, në të gjitha trojet, do ta kenë ekskluzivitetin e përcjelljes së këtij festivali që do të përcillet me plot befasi.
“Vetëm pas disa ditësh, në ekranin e Top Channel do fillojë të transmetohet reklama për audicionet”, ka thënë ai.
Pas edicionit të katërt, ku fituese për herë të parë ishte një femër, edhe këtë vit pritet që organizatorët të zgjedhin persona të ndryshëm, të cilët do të bëjnë debat dhe natyrisht edhe dashuriçkat e banorëve nuk do të mungojnë.
Por, për dallim nga viti i kaluar, kur BBA 4 kishte filluar në dhjetor, Aga thotë se tani spektakli do të fillojë në muajin shkurt.
Ai premton se edhe në këtë vit do të ketë shumë risi në këtë emision.
“Për ata të ‘merakosurit’ për faktin se do ndërrohet apo jo prezantuesja, ju themi: Jo. Prezantuesja, edhe këtë vit, për të pestin vit radhazi, do të jetë Arbana Osmani”.
Sipas Agajt, edhe këtë vit, njëlloj si vjet, do të ketë një përzgjedhje brenda shtëpisë. “Pra, nuk është e thënë që të gjithë konkurrentët që do shohim të futen natën e parë, do të jenë banorët e përhershëm”.
Ai po ashtu ka thënë se edhe në këtë vit do të ketë surpriza dhe rikonceptime në shumë aspekte, por tani preferon të mos i thotë të gjitha.
Ndërkohë, shtyrja, sipas organizatorit, është bërë për shkak të fillimit të spektaklit “Voice of Albania”, gjë që ka bërë që Big Brother të organizohet pas këtij spektakli.
Ndryshe, Big Brother Albania sjell para ekranit edhe konkurrentë kosovarë, të cilët garojnë bashkë më ata të Shqipërisë, përderisa transmetimet live nga shtëpia vinë në paketën e DigitAlb, që në Kosovë e sjell kompania IPKO.